Kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e grupit LDK-AAK-Nisman, Isa Mustafa nuk mund të llogarisë votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sekretari organizativ i Lëvizjes, Dardan Molliqaj tha se, në mungesë të marrëveshjes nuk do ta votojnë kandidatin e bllokut për kryeparlamentar. Ende nuk është vendosur nëse vota do të jetë kundër apo abstenim.
“Në këtë drejtim, të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit e ka vetëm blloku më i madh opozitar. Ne do të mund të votonim për këtë kandidat nëse do të kishim marrëveshje me shkrim, për këtë arsye VV nuk do të votojë për këtë kandidat. Nesër do të vendoset nëse do të jetë votë kundër apo abstenim”, deklaroi sekretari organizativ i VV, Dardan Molliqaj.
Në rast se kryesuesja e seancës konstituive i jep të drejtë Partisë Demokratike të Kosovës ta propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit, Vetëvendosje do ta braktisë seancën, duke e konsideruar një veprim të tillë si shkelje.
“Kjo do të ishte shkelje, drejtuesi i ditës së parë të kuvendit nuk ka asnjë të drejtë të bëjë diçka të tillë. Çdo dhënie e mundësisë e një kandidati nga një subjekt tjetër do të ishte shkelje e rregullores. Nëse do të ndodh një gjë e tillë ne do të largohemi nga salla, pasi kjo mund të cilësohet kapje e institucioneve nga PDK-ja”, shtoi Molliqaj.
Lidhur me raportet me grupin LDK-AAK-Nisma në Vetëvendosje thonë se marrëveshja mund të arrihet brenda ditës, por gjithçka varet nga vullneti i tri subjekteve për t’u pajtuar me kriteret e caktuara.
Top Channel