Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se në seancën konstituitive në Kuvend partia e tij do të arrijë të enjten që ta propozojë dhe ta zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, konform Kushtetutës. Njësoj optimist është shprehur ai edhe për formimin e qeverisë.

“Ishte një mbledhje e rregullt e Kryesisë së partisë ku diskutuam për hapat e mëtejmë të ndërtimit të institucioneve të vendit që do të ndërtohen në përputhshmëri të plotë me rezultatin zgjedhor të 8 qershorit që përcakton qartë verdiktin e qytetarëve, sovranit, fituesin e qartë, të pastër. Pra PDK dhe koalicioni i saj parazgjedhor do të propozojnë dhe zgjedhin edhe kryeparlamentarin edhe mandatarin e ardhshëm”, tha Thaçi.   

Thaçi ka takuar të enjten ndarazi Kryesinë e partisë dhe deputetët e zgjedhur të PDK-së me të cilët ka diskutuar për rrjedhën që do t’i japin seancës konstituitive të Kuvendit.

Pas mbledhjes së deputetëve, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi konfirmoi se ky subjekt nuk e njeh agjendën e seancës që e ka miratuar Kryesia e legjislaturës së kaluar.

“Ne do t’i përgjigjemi kryetarit dhe Kryesisë që do ta zgjedhim shpresoj nesër. Ata do të jenë udhëheqësit tanë. Institucioni i kaluar nuk ka kompetenca për ne dhe normalisht që çfarëdolloj tendence për të kontrabanduar pika të rendit të ditës apo për të imponuar zgjidhje arbitrare në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin përkatës, rregulloren e punës së Kuvendit  po ashtu nuk do të jetë e pranueshme”, tha Krasniqi.

Duke folur për ulëset e deputetëve, Krasniqi ka thënë se ato i ka përcaktuar me votën e tyre qytetari në zgjedhjet e 8 qershorit, duke përsëritur se deputetët e PDK-së do të ulen aty ku kanë qenë edhe në mandatin e kaluar.

Edhe pse në mbledhjen e deputetëve të PDK-së është folur se kush mund të jetë kryeparlamentar nga kjo parti, Krasniqi ka thënë se emri i tij do të mësohet gjatë seancës konstituitive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA