“Gjykata po liron Ben Qimen”

16/07/2014 00:00

Gati katër muaj pasi u arrestua për llogari të INTERPOL-it Romës, biznesmeni Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja dhe që kërkohet nga italianët për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik droge, ndodhet një hap larg lirisë.

Në këto momente, në Gjykatën e Fierit po shqyrtohet kërkesa e avokatëve të tij për shuarjen e masës së sigurisë që do të thotë kërkesa për lirimin e tij, pak orë pasi gjyqtarja Igerta Hysi e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për zgjatje të afateve derisa të përfundonte procesi për ekstradimin e Arben Isufaj.

Prokuroria e Fierit reagoi duke u shprehur në një material të shpërndarë nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme duke e konsideruar këtë vendim si të paprecedentë e për këtë Prokuroria kërkoi përjashtimin e kryesueses së seancës me arsyetimin se gjatë ushtrimit të funksioneve të saj gjyqtarja është shprehur në lidhje me faktin objekt gjykimi.

Kjo kërkesë e Prokurorisë po shqyrtohet njëkohësisht me masën për lirimin e biznesmenit Isufaj. Pingpongu në gjyqësor për çështjen “qimja” nisi menjëherë pas arrestimit të tij, menjëherë pasi Gjykata e Apelit e la atë në burg me afat, ndërkohë që sapo mbërritën materialet nga Italia për ta ekstraduar të kërkuarin, u vendos masa normale arrest me burg.

Por, një vendim i beftë i Gjykatës së Lartë vendosi të rrëzojë vendimin e Apelit që u shpreh për herë të dytë masë sigurie pa afat, duke ia kaluar për kompetencë çështjen e masës së sigurisë Gjykatës së Fierit, e cila nga ana e saj nuk pranoi të zgjasë me 30 ditë të tjera mbajtjen në paraburgim të Arben Isufajt.

Top Channel