Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetutese përsa i përket zgjidhjes së problemit për postin e kryetarit të Kuvendit.

Të paktën kështu mendon kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili pas mbledhjes së këshillit drejtues u shpreh i bindur se Isa Mustafa, si i propozuar i koalicionit, do t’i fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit. Ndërsa për zgjedhje të reja as që bëhet fjalë.

Gjykatës Kushtetuese ka mundësi t’i drejtohen deputetet e AAK-së dhe LDK-së, parlajmëroi zyrtari tjetër i AAK-së, Ardian Gjini, por vetëm nëse Flora Brovina, në cilësinë e drejtueses së seancës, i jep të drejtë Partisë Demokratike të Kosovës.

“A është e nevojshme presidentja? Jo, ajo nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nuk është me mandatim nga presidentja, është e shkruar me kushtetutë dhe e bazuar në rregulloren e Kuvendit. Presidentja nuk është palë në këtë rast. Ajo për mandatarin e qeverisë është situatë tjetër”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj paralajmëroi se nuk do të ketë takime të reja me lëvizjen Vetëvendosje, sepse pajtimi për seancën konstituive të Kuvendit është i vështirë.

“Sa i përket seancës, vështirë se mund të ndryshojmë gjendjen, por ekziston mundësia e komunikimit. Nesër është vetëm zgjedhja e kryeparlamentarit. Unë pata një konsultë me kryetarët Mustafa dhe Limaj, por tani duhet të përgatitemi për seancën pasi s’mund të vijojmë me konsulta”, theksoi Haradinaj.

Duke komentuar fjalët se për shkak të ngatërresave të krijuara të enjten mund të ketë përleshje në kuvend, haradinaj tha se ka kaluar koha e muskujve dhe grushtave. Sipas tij deputetet e zgjedhur do të kenë sjellje demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA