Zëvendëskomandanti suprem i NATO-s për Europën, gjeneral Sir Adrian Bradshaw ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjenerali u prit nga garda ceremoniale e FSK-së.

Gjenerali Bradshaw u prit në takim nga ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, të cilin e siguroi se NATO do të vazhdojë të mbështesë ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të FSK-së, si dhe transformimin e saj në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Do të doja t’i nënvizoja marrëdhëniet shumë të forta që kemi pasur që prej fillimit me ju zoti ministër dhe me organizatën si të tërë. Mes NATO-s dhe jush është një marrëdhënie shumë pozitive dhe e fortë dhe ne do të donim që ajo të vazhdonte. Kemi pasur diskutime shumë të dobishme këtë mëngjes, disa prej të cilave do t’i dërgoj në Bruksel për diskutime të mëtejshme. Unë kam besim se Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të shkojë përpara”, deklaroi Bradshaw.

Nga ana e tij, ministri Çeku foli për nevojën e shkollimit dhe trajnimeve të pjesëtarëve të FSK-së në shkollat dhe akademitë e ndryshme në kuadër të NATO-s. Çeku vuri në dukje se pa ndihmën e NATO-s, FSK nuk do të kishte avancuar deri në këtë nivel që është tani.

“Biseduam për hapat që Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Kosova në përgjithësi duhet të ndjekin për një mbështetje të vazhdueshme të NATO-s. Theksi u vu kryesisht në: ndërtimin e kapaciteteve ushtarake të mbrojtjes në një të ardhme të afërt; lëvizjen e FSK-së në fazën tjetër të zhvillimit; vendosjen e marrëdhënieve formale të partneritetit që Kosova të ecë drejt anëtarësimit në NATO; mundësimin e aksesit në shkollat e Aleancës; pjesëmarrjen në stërvitje dhe seminare të udhëhequra nga NATO, në mënyrë që në fund të mund të jemi pjesë e operacioneve paqeruajtëse të saj”, deklaroi Çeku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA