Përpara se të niseni për udhëtim drejt destinacionit të zgjedhur për pushimet e verës, përveçse të informoheni rreth motit dhe rrugës që do të përshkoni duhet të kontrolloni edhe makinën. Që t’i paraprini surprizave të rrugës është e rëndësishme që të kujdeseni më parë për nivelin e vajit, ujit, gomat, gomën rezervë, dritat etj.

Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore dhe Julian Mihali, teknik autoservisi kanë treguar për rubrikën “Kujdes në timon!” në “Wake Up” domosdoshmërinë e këtij kontrolli.

Kontrolli i makinës ndahet në 3 kategori: kontrolli i jashtëm, ai në zonën e motorrit dhe kontrolli i brendshëm.

Kontrolli i jashtëm përfshin gjendjen e gomave, nivelin e fryrjes së tyre. Duhet të kontrolloni gomën rezervë, fshirëset e xhamit, pasqyrat, dritat dhe t’i hidhni një sy bagazhit për artikujt e nevojshëm. Aty nuk duhet të mungojnë:

-Çanta e veglave, trekëndëshi, kriku, kutia e ndihmës së shpejtë.

Për zonën e motorrit është e rëndësishme të kontrollohet sistemi ftohës, niveli i ujit, sistemi i vajosjes, niveli i vajit në motorr. Vijojmë me baterinë dhe më pas kontrollojmë sistemin e frenimit.

Ngelet për t’u parë edhe zona e timonit, ku duhet kontrolluar toleranca e timonit por jo vetëm. Ekspertët sugjerojnë që të kontrollohet nëse punon buria apo jo, nëse kemi karburant në serbator, duhet të rregullojmë mbështetësen e kokës, pasqyrat dhe tanimë çdo gjë është gati për një udhëtim të qetë…

Është e vërtetë që qoftë edhe ndërrimi i një gome mund të shkaktojë dhimbje koke tek shumë drejtues mjetesh, por duhet të dini që një kontroll paraprak i makinës bën që qarkullimi të jetë më i sigurt. Ndaj përveçse të kontrolloni rrobat e banjës, kremin mbrojtës, syzet, kapelen dhe gjithçka ju duhet për t’ju drejtuar plazhit, nëse kilometrat drejt destinacionit të pushimeve zgjidhni t’i bëni me makinën tuaj, keni edhe një detyrë më shumë!

Top Channel