Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha të martën se nuk do të ishte në gjendje që si kryetar i qeverisë ta izolojë Kosovën, duke iu referuar kështu fërkimeve të fundit me lëvizjen e Albin Kurtit.

Sipas tij, në bisedime është shtuar një aneks i ri për dialogun, ndërsa në këtë kuadër ai mohon zërat për mospajtim për postet ministrore.

Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit me përfaqësuesit e pakicave në Kuvendin e Kosovës, ku nuk ishin të pranishëm serbët. Në takim ishin edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.

“Unë kam qenë me shpresën që të hënën do të mbaronim punë, për shkak se dokumenti paraprak ka qenë një materie e qëndrueshme. Por, Vetëvendosje ka prezantuar aty një aneks-dokument, i cili ka sjellë tema apo na ka kthyer prapë në punë nga fillimi. Jemi në shqyrtim e sipër”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj shtoi se, bashkë me Mustafën dhe Limajn janë të vetëdijshëm se pa mbështetjen e Vetëvendosjes i pret një punë sfiduese për shkak të Listes Srpska. Sidoqoftë, ai u shpreh optimist për një marrëveshje.

“Unë nuk përfaqësoj vetëm veten time. Përfaqësoj tri subjekte politike. Do të konsultohemi për të parë se si do të veprojmë më tutje”, theksoi Haradinaj. Sa i përket ndonjë bashkëpunimi me PDK-në, ai tha vetëm: “Jo, jo”.

Lidhur me takimin me perfaqësuesit e minoriteteve, kreu i AAK-së njoftoi se ekziston besimi për partneritet me të gjithë, përfshirë edhe serbët, të cilët nuk ishin pjesë e takimit. Ndërsa vetë politikanët minoritarë nuk u prononcuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA