Tiranë, atentat me eksploziv

14/07/2014 00:00

Një shpërthim në një automjet në ecje, ka tronditur zonën e njohur si ‘Rruga Ura’ në kryeqytetet, pasditen e së hënës.

Ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 19:40, ku automjeti “Volkswagen Polo” me targë AA 868 EE, ka shpërthyer dhe kanë mbetur të plagosur tre persona.

Edhe pse fillimisht u fol se shpërthimi erdhi për shkak të sistemit të gazit që ishte instaluar në automjet, burime nga policia bëjnë të ditur se bëhet fjalë për lëndë plasëse, por ende nuk është përcaktuar lloji dhe sasia e saj.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, është dëmtuar tërësisht pjesa e përparme e automjetit ndërsa dëmtime të shumta ka marr drejtuesi i saj, 46-vjeçari Sulejman Allushi, i cili mësohet se është në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Ndërkaq, dy pasagjerët e tjerë kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta dhe gjenden në repartin e djegieve.

Grupi hetimor, i cili mbërrit në vendngjarje ka nisur mbledhjen e provave për zbardhjen e saj. Policia deri tani ka dy pista hetimi. Pista e pare lidhet me konfliktin për shkak të pronësisë. Rezulton se në vitin 2011, Sulejman Allushi së bashku me dy kushërinj të tij, janë konfliktuar dhe kanë plagosur Artur Zallinin, më të cilin prej kohësh kishin konflikte mbi një pronë të ndodhur në fshatin Ferraj në Tiranë.

Pista e dyte ka te beje me  lidhjet familjare. Sulejman Allushi, i plagosur nga shpërthimi është vëllai i Sajmir Allushit, drejtorit të Paraburgimit 313 në kryeqytet, ku ndodhen disa nga personazhet më të njohur të botës së krimit, mes tyre Ndriçim Gjokona, i penduari i bandës së Tritolit, Dritan Dajti, Jetmir Llani e shumë persona të tjerë që janë në pritje të përfundimit të gjykimit. Por deri më tani, grupi hetimor është ende duke mbledhur prova dhe pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Allushit, për ta marr atë në pyetje.

Top Channel