Sarandë, zbulohen kimikate të groposura

14/07/2014 00:00

Aktivistët e organizatave në mbrojtje të mjedisit zbuluan në Sarandë një vatër të dytë ku në fillim të viteve ‘90 janë groposur kimikate të rrezikshme.

Sipas organizatës AJMMI (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) bëhet e ditur se ditën e dielë është finalizuar hetimi për gjetjen e një sasie të madhe kimikatesh të groposura.

Sipas ekologjistëve dhe zyrtarëve të komunës Lukovë, ku ndodhet vatra e kontaminuar, groposja e helmeve kimike është bërë në vitin 1992, kur disa kamionë të ngarkuar me helme kimike me përdorim bujqësor, transportuan nga ish-baza e bujqësisë të Sarandës në Metoq, drejt fushës bujqësore pranë Volloderit fuçitë ku ndodheshin kimikatet.

Sipas ekologut Xhemal Mato, i pranishëm në çastin e zbulimit të vatrës së kontaminuar në Sarandë, ky fakt tregon se nëntoka bujqësore e Shqipërisë, shpesh i ngjan një zonë të minuar, me rrezik për jetën e banorëve dhe me pasoja për ndotjen kimike të prodhimeve bujqësore e blegtorale.  

Pak muaj më parë, një tjetër vatër me helme kimike të groposura u zbulua sërish nga e njëjta organizatë në afërsi të fshatit Finiq.   

Top Channel