Reforma e skemës së pensioneve

14/07/2014 00:00

Kuvendi ka nisur diskutimet për reformën më të rëndësishme të viteve të fundit, atë që prek skemën e pensioneve. Në komisionin e ekonomisë, ministri i Punës, Erjon Veliaj tha se ligji shpëton sistemin nga gropa financiare.

Në të njëtën kohë, ai siguroi qytetarët përmes shembujve se skema e re nuk i ul pensionet, por i rrit ato për të gjitha kategoritë, duke filluar nga pensionet minimale.

“Pensioni i sotëm është 141 mijë e 740 lekë. Në 1 janar do të jetë 143 mijë e 500 lekë. Kjo do të thotë se edhe për pensionin më fundor të pagës minimale ne do të kemi rritje”, deklaroi Veliaj.

Zoti Veliaj tha se rritja do të jetë më e madhe për ata që kanë derdhur më shumë kontribute. “Nga një pagë mesatare që do dilte me pension maksimal me sistemin e vjetër 24 mijë e 500 lekë, me të riun del 26 mijë e 700 lekë. Një i punësuar me pagë maksimale do të dalë me një pension rreth 300 mijë lekë. Për herë të parë do të kishim kalimin e tavanit ekzistues”, saktësoi Veliaj.

Ndërsa për ata që kanë dalë në pension, apo që do të dalin para 1 janarit të 2015 kur hyn në fuqi skema e re, pensioni mbetet ky që është duke u indeksuar vit pas viti. “Së pari, të drejtat e fituara nga vitet e punës nuk humbasin. Do të vazhdojë indeksimi”, nënvizoi ministri.

Në fund, zoti Veliaj qartësoi edhe se si do të funksionojë pensioni social, duke thënë se ai nuk prek individët që kanë kontribuar, por vetëm ata që nuk plotësojnë vitet e sigurimeve dhe që me skemën aktuale do mbeteshin pa asnjë pension.

“Nëse dikush nuk i ka bërë vitet e punës dhe deri në 70 vjeç nuk i bën, atëherë me të njëjtin vlerësim sipas të cilit ne japim ndihmën ekonomike, ne japim një pension social. Këtu nuk bëhet fjalë për të hequr. Këtu ne i japim diçka dikujt që të ardhurat i ka zero”, tha Veliaj.

Ndonëse reforma është diskutuar pa praninë e opozitës, që e ka bojkotuar Kuvendin, interesi ka qenë i lartë nga vetë deputetët e maxhorancës, të cilët kanë kërkuar më shumë qartësi nga qeveria.

Top Channel