Rama: Deri në fund reforma në drejtësi

14/07/2014 00:00

I gjithë kabineti qeveritar zhvilloi një raportim publik për 300 ditët e para të qeverisjes, nga ku shefi i ekzekutivit Edi Rama një pjesë të gjatë të fjalës së tij ia kushtoi drejtësisë. Rama u shpreh se, nuk jemi të kënaqur me Presidentin e Republikës, por kurrë mazhoranca qeverisëse nuk ka baltosur institucionin e Presidencës.

Gjithashtu, Rama shpalosi rezerva për kryeprokurorin Llalla, por tha se shpresonte që kreu i akuzës të kthehej në partnerin e duhur kushtetues në betejën për drejtësi.

“Ne padyshim nuk jemi të lumtur, madje në këtë rast palumturinë tonë e kemi shprehur publikisht jo vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, por edhe përmes të tjerëve për mënyrën se si funksion Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por as kemi rënë dhe as do të biem në batakun ku KLD na ka ftuar më shumë se njëherë me reagime që nuk ka kanë asgjë të përbashkët me reagimet e një institucioni të pavarur kushtetues”, deklaroi Rama.

Rasti i gjykatësit Gjin Gjoni sipas kryeministrit, tashmë përbën shqetësim edhe për ndërkombëtarët. “Jam ndjerë dhe ndjehem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë të dijë emrin e Gjin Gjonit në anglisht?! E ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë autoritetet që takon. Unë nuk kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale”, theksoi Rama.

Sesioni i ardhshëm do të jetë edhe sesioni kur qeveria, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, deklaroi Rama do të nisë një luftë pa kompromis kundër të gjithë të korruptuarve në drejtësi. Kryeministri ia përsëriti ftesën opozitës për t’u përfshirë në reformën në drejtësi.

“Ne do të donim që vërtetë të mos besonim që pas këtyre gjykatësve të stërkorruptuar, pas këtij indiferentizmi, në rastin më të mirë dhe këtij agresiviteti, në rast të përsëritur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jetë opozita. Ne nuk duam ta besojmë këtë. Por sa më shumë opozita mungon në këto takime me historinë, aq më shumë vetëfajësohet, duke u shfaqur si mburoja e “gjinit”, e “gjonit” dhe e gjithë “gjonëve” edhe “gjinëve” që fatkeqësisht e kanë marrë peng për vite me radhë të drejtën në Shqipëri dhe e kanë kthyer çekiçin e gjykatësit në një armë për ta vrarë drejtësinë, kur dikush s’ka mundësi ta blejë dhe për ta shitur drejtësinë, kur dikush ka mundësi ta blejë”, tha Rama.

Rama renditi një sërë arritjesh gjatë 300 ditëve qeverisje kur deklaroi se, “kemi arritur që të bëjmë realitet një aspiratë, një qëllim dhe një objektiv për të bërë Shqipërinë një vend kandidat për në BE, falë shumë përpjekjeve”, duke theksuar se, “Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin pa betejën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pa rikthimin e Policisë së Shteti në krye të detyrës dhe vënien nën kontroll të Lazaratit.

“Kemi arritur të bëjmë që asnjë sipërmarrës të mos ndjehet në vështirësi me qeverinë dhe administratën për shkak të simpative të tij politike, apo për shkak të përkatësive të tij tëçfarëdolloji qofshin. Ne i gjetëm spitalet pa ilaçe dhe ne sot kemi garantuar që të mos mungojnë ilaçet në spitale. Por, sigurisht, ne jemi zotuar për më shumë. Ne jemi zotuar për shërbimin shëndetësor që do të jepet falas për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Dhe ne do ta mbajmë këtë zotim. Në librin e pagave, sektor publik dhe sektor privat bashkë, të Republikës së Shqipërisë figurojnë ekzaktësisht 43.879 më shumë njerëz. Janë 43.879 më shumë vende pune që figurojnë në librin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore të Republikës së Shqipërisë mbas 300 ditësh”, shtoi Rama.

Gjithçka e arritur deri më tani, deklaroi kryeministri, janë parathënia e atij libri që Aleanca për Shqipërinë Europiane do të shkruajë në këto katër vite.

Basha: 300-ditëshi i mashtrimeve
Kreu i PD kritikon ashpër bilancin e qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një koment të shkrutër, por të ashpër në Facebook për 300 ditët e para të qeverisjes së koalicionit të majtë.

Duke e cilësuar këtë periudhë si 300-ditëshin e mashtrimeve dhe vetëm të fjalëve, zoti Basha thotë se kjo është qeveria që nuk ka asnjë bilanc pozitiv, sepse nuk ka hapur asnjë vend të ri pune, nuk ka bërë asnjë reformë dhe ka sjellë vetëm varfëri dhe papunësi.

Sipas kreut të opozitës, këto janë 300 ditët e pasigurisë për jetën dhe për pronën, ku krimi, grabitjet me dhunë dhe trafiku i lëndëve narkotike kanë kapur nivele alarmante.

Në komentin e tij në Facebook, zoti Basha e përshkruan 300 ditëshin e parë të qeverisjes edhe si kohën e largimeve masive politike nga puna, kohën e emërimeve kriminale, korrupsionit politik dhe të shit-blerjes së votës. “Në këto 300 ditë krimi, dhuna dhe brutaliteti kanë pushtuar shtetin”, shkruan Basha në profilin e tij. 

Top Channel