Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i së hënës mes koalicionit pas zgjedhor LDK-së, AAK-së, Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pas takimit që zgjati dy orë, Kurti tha se arsyeja e mosarritjes së marrëveshjes është se ekziston një mospërputhje midis dakordimeve verbale në takime dhe gatishmërisë për t’i vënë ato në letër dhe për t’i nënshkruar.

Specifikisht bëhet fjalë për dy temat në të cilat këmbëngul Lëvizja Vetëvendosje, dialogut Prishtinë-Beograd dhe procesit të privatizimit. Në këtë situatë, deputetët e Vetëvendosjes nuk do ta votojnë kryeparlamentarin e propozuar nga ky koalicion e as qeverinë Haradinaj, paralajmëroi Albin Kurti, duke kërkuar kështu së pari një marrëveshje të plotë.

“Jemi në këtë gjendje për shkak të mospërputhjeve mes deklarimeve dhe dakordimeve verbale në takime të mëherëshme dhe marrëveshjes si tekst të shkruar për të cilën kanë ngecur përafrimet. Së pari votohet kryeparlamentari dhe vetëm më pas votohet i nominuari për Kryeministër. Ne nuk do të japim asnjë votë tonën përderisa nuk kemi një marrëveshje të plotë. Këtë e kemi thënë që prej fillimit. Mospajtimet kanë të bëjnë me dialogun dhe me privatizimet”, tha Kurti pas takimit të bllokut opozitar.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj mohon se kishte mospërputhje për temat që janë pajtuar, por tek mekanizmat zbatues. Sipas tij në takimin e së hënës dolën disa elemente të reja për të cilat koalicioni nuk ka qenë në gjendje të vendosë. Haradinaj shtoi se grupet punuese do të punojnë gjatë ditës me qëllim që të ketë marrëveshje. Haradinaj mohoi se vizita e Sekretares Amerikane ka ndikuar në krijimin e një distance mes palëve.

“Ne kemi rënë dakort për temat. Ka ndodhur dicka e re, janë disa elemente në zbatim të cilat nuk ishin menduar për të qenë pjesë e marrëveshjes bazë. Këto na kanë vonuar”, tha Haradinaj.

E ndërkohë që dy kryetarët, ai LDK-së dhe Nismës nuk u deklaruan për këtë çështje, Haradinaj tha se materiali për të cilin janë dakorduar në takimet e mëhershme ka qenë i mjaftueshëm për të arritur marrëveshjet. I pyetur nëse bëhet fjalë për kushte të reja të Vetëvendosjes Haradinaj nuk tregoi duke thënë se është material pune në të cilin do të punohet. Ai po kështu nuk u përgjigj as në pyetjen nëse nëse vetëm tri subjektete do të mund t’i themelonin institucionet pa Vetëvendosjen.

Sipas Haradinajt dhe Kurtit, takimet e  opozitës do të vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA