Homazhet për gazetaren e ‘News 24’

14/07/2014 00:00

Në orën 14:00 është përcjellë për në banesën e fundit kolegia jonë Enkelejda Skënderasi. Gazetarja e ‘News 24’ në qytetin e Korçës, humbi jetën dje në një aksident automobilistik ndërsa ishte në krye të detyrës.

Mesditën e sotme, në ambientet e teatrit “Andon Zako Çajupi”, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë korçarë respektuan në heshtje teksa arkivoli i mbuluar me lule hyri në ambientet e brendshme të teatrit.

Më herët, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Medias në Tiranë është mbajtur edhe një minutë heshtje për humbjen e parakohshme të gazetares Enkelejda Skënderasi.

Gazetarja e ‘News 24’ ishte ditën e dielë së bashku me shumë kolegë të saj duke ndjekur aktivitetet në fshatin Panarit të Korçës, kushtuar 100-vjetorit të masakrës që ushtria greke bëri në këtë zonë.

Automjeti me të cilin po udhëtonte Enkelejda dhe disa operatorë të mediave të tjera doli nga rruga dhe ra nga 20 metra lartësi. Gazetarja Skënderasi, 29 vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme nga plagët që mori në kokë, ndërsa të tjerët nuk patën lëndime.

Top Channel