Ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ka qëndruar për vizitë në Kosovë ku në takime të ndara ka takuar presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi si dhe kryetarët e LDK-së dhe AAK-së.

Nuland nuk ka folur para mediave, por sipas komunikatave për media të lëshuar nga institucionet kosovare, ajo gjatë takimeve është interesuar për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për krijimin sa më shpejt të institucioneve të reja.

Burime të Top Channel-it brenda takimeve kanë bërë të ditur se diplomatja amerikane nuk ka paraqitur asnjë kusht, përveçse u ka kërkuar politikanëve kosovarë që formimi institucioneve të bëhet konform kushtetutës dhe ligjeve.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e ka siguruar ndihmës/sekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet, ndërsa e ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Pro vazhdimit të dialogut me Serbinë është shprehur edhe kryeministri Hashim Thaçi. Në takim me diplomaten amerikane, Thaçi ka folur edhe për implementimin e rezultatit zgjedhor.
Thaçi ka thënë se formimi i institucioneve të reja demokratike do të bëhet duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ai ka thënë se në këtë proces, i gjithë spektri politik do të reflektojë seriozitetin dhe pjekurinë e lartë politike.

Nga ana tjetër, pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane, kanë folur liderët e LDK-së dhe AAK-së, por nuk konfirmuan nëse e kanë marrë mbështetjen e saj për koalicionin që kanë bërë.  

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, theksoi: “E informuam lidhur me proceset në Kosovë, lidhur me zgjedhjet, lidhur me organizimin e partive të opozitës për alternativën e re qeverisëse të vendit. U zotuam se do të respektojmë të gjitha procedurat demokratike në këtë proces në të cilin jemi, do të punojmë për interes të qytetarëve dhe të vendit dhe këmbyem mendime lidhur me strategjitë dhe perspektivat për zhvillimin e Kosovës dhe të bashkëpunimit me SHBA-të”.

Ndërsa Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, tha: “Ka ardhur në një kohë të rëndësishme për Kosovën, ku presim t’i ndërtojmë institucionet. U rikonfirmuan obligimet që ka Kosova në partneritet me SHBA-të, por edhe në planin e brendshëm për ndërtimin e institucioneve, qeverisjen që e pret vendi”.

Duke komentuar për mospraninë e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, në takimin e përbashkët me diplomaten amerikane, Haradinaj ka thënë se mund të ndodhë që ata nuk ishin ftuar pasi vizita mund të jetë aranzhuar para zgjedhjeve.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA