“Të shpëtojmë vendin nga oligarkia”

12/07/2014 00:00

Në Shkodër, ku po bëhen zgjedhjet për kryetarin e ri të degës më të madhe të Partisë Demokratike në veri të vendit, Lulzim Basha shprehu shqetësimin për kërcënimin e vlerave të demokracisë nga qeveria e koalicionit Rama-Meta.

Duke iu referuar edhe një deklarate të Sekretarit Amerikan të shtetit, i cili thekson dëmin që i bëhet Shteteve të Bashkuara nga mungesa e ambasadorëve në disa vende të botës, përfshirë Shqipërinë, zoti Basha e cilësoi alarmante situatën në vend.

“Dy ditë më parë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha citoj ‘Pa autoritetin e një ambasadori, ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë të kërcënuara’. Kjo është një deklaratë që pason alarmin e tij të disa muajve me parë për rrezikun që i kanoset demokracisë nga  instalimi në disa vende i pushtetit oligarkik, pra të një grushti sundimtarësh që nuk pyesin as për ligj dhe as për vlera, siç është rasti i qeverisë Rama-Meta. Duke synuar të zëvendësojnë programet e zhvillimit me shit-blerjen e votës, shtetin e së drejtës me sundimin  oligarkik,  meritokracinë  me pazarat e pista, vlerat e krijuara brez pas brezi me interesat  e paskrupullta”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu vendosmërinë e opozitës për të mbrojtur vlerat e demokracisë, të fituara me sakrifica të mëdha nga shqiptarët.

“Duhet të ngrihemi, duhet të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe me gjithë shqiptarët që kanë në zemër ëndrrën e demokracisë dhe idealin e lirisë. Në këtë betejë, në këtë mision, në ketë udhëtim kemi përkrah fuqinë më të madhe të botës, SHBA, kemi përkrah Bashkimin Europian.  Ju demokratët shkodranë dhe demokratët në mbarë vendin po e përmbushni këtë mision sot duke zhvilluar demokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda partisë”, deklaroi kreu i demokratëve.

Top Channel