Abuzoi me lejet e ndërtimit, pranga kryekomunarit

12/07/2014 00:00

Dhëniet abuzive të lejeve të ndërtimit në bregdet çuan në pranga kryetarin e Komunës së Rrashbullit dhe dy zyrtarë të tjerë të saj.

Në kuadër të operacionit të koduar “Rrashbulli” u arrestua për shpërdorim detyre, Hysen Gashi, kryetar i Komunës që ka nën administrim dhe zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.

Arrestim i Gashit u krye nga Njësia e Anti-krimit Ekonomik, pasi Gjykata kishte vendosur më parë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Policia arrestoi edhe shefin e urbanistikës Vasil Gjoni, si dhe topografin Viktor Ndreka. Edhe mbi ta rëndon e njëjta akuzë, ajo e shpërdorimit të detyrës.

Ashtu si 5 vite më parë edhe këtë herë akuzat për shpërdorim kanë të bëjnë me ndërtimet shumëkatëshe në bregdet. Një muaj e gjysmë më parë u shemb me eksploziv nga INUK një godinë që ishte ngritur në zonën e Shkëmbit të Kavajes në një tokë të regjistruar si pasuri e Komunës Rrashbull.

Kryekomunari Hysen Gashi ushtronte mandatin e katërt të tij dhe në zgjedhjet e fundit lokale, ato te vitit 2011 ai fitoi me siglën e LSI-së, atëherë në koalicion me PD-në.

Top Channel