Tirana e Prishtina i përgjigjen Shkupit

11/07/2014 00:00

Tirana dhe Prishtina zyrtare i përgjigjen Maqedonisë me të njëjtën lëvizje për të kundërshtuar notën verbale që vendi fqinj iu nisi dy shteteve shqiptare.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë thërritur në takim respektivisht ambasadorët e Maqedonisë në këto dy vende, një ditë pasi në dikasterin  e diplomacisë maqedonase u thirrën ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës të cilëve iu dorëzua edhe nota verbale për atë që Maqedonia e cilësoi si ndërhyrje në punët e brendshme.

Ministria jonë e Jashtme e cilëson notën verbale të Maqedonisë më shumë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi i çështjes. “Jemi të mendimit se shkaqet e këtyre situatave duhen kërkuar brenda Maqedonisë dhe tek moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Çdo përpjekje për të kërkuar shkaqe apo faktorë të tjerë dhe për më tepër jashtë kufijve të Maqedonisë, do të ishte joproduktive”,  i është thënë ambasadorit maqedonas nga zyrtarët shqiptarë.

Në takimin që zgjati mbi një orë në Ministrinë e Jashtme, Ambasadorit të Maqedonisë në Tiranë iu shpreh pakënaqësia dhe keqardhja për moskuptimin e mesazheve të përcjella nëpërmjet deklaratave të zyrtarëve shqiptarë, referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Ambasadorit iu rishpreh shqetësimi për dhunën e ushtruar gjatë demostratave. MPJ theksoi se kjo mënyrë sjelljeje  nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, dëmton marrëdhëniet ndëretnike e harmoninë midis komuniteteve.

Diplomatit maqedonas në Tiranë i është bërë me dije se “këto deklarata nuk mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Ato përbejnë një shprehje të natyrshme të shqetësimit për situatën e krijuar dhe njëkohësisht bëjnë thirrje për maturi dhe gjetjen e zgjidhjeve”.

Ambasadorit Stojan Karajanov i është sjellë në vëmendje se qendrimet e Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me  shqetësimin e shprehur nga faktori ndërkombëtar. Zyrtarët e ministrisë sonë të jashtme kanë ripërsëritur se vetëm zbatimi në frymë dhe në gërmë e Marrëveshjes së Ohrit, është shtylla kurrizore e shtet-ndërtimit demokratik dhe busulla orientuese për të ardhmen euro- atlantike të Maqedonisë.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok kërkojnë mirëkuptim dhe përpjekje të përbashkëta, i është thënë në takim ambasadorit maqedonas në Tiranë, ku është risjellë gjithashtu në vëmendje të shtetit fqinj se shqiptarët e Maqedonisë janë jo vetëm një urë bashkëpunimi, por faktor shtet-ndertues me një rol të rëndësishem në stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit.

Këto qendrime dhe shqetësimi për situatën në Shkup i janë përcjellë Ministrit të Jashtëm maqedonas edhe nga homologu shqiptar Ditmir Bushati. Ministri ynë i jashtëm ka shfrytëzuar Forumin Rajonal në Kotorr, por edhe atë në Dubrovnik gjatë dy ditëve të fundit, për të shprehur shqetësimin homologut maqedonas për zhvillimet e fundit në shtetin fqinj, ku prej disa ditësh kanë nisur protestat e shqiptarëve atje.

Top Channel