Konflikti fizik, masa disiplinore deputetëve

11/07/2014 00:00

Byroja parlamentare ka marrë masa disiplinore ndaj tre deputetëve të përfshirë në incidentin e së enjtes në Kuvend: Gent Strazimiri, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka.

Byroja vendosi masë “vërejtje” për deputetin e PD-së, Gent Strazimiri; 3 ditë përjashtim nga Kuvendi për deputetin e PS-së, Pjerin Ndreu dhe 7 ditë përjashtim nga Kuvendi për Arben Ndokën.

Zanafilla e konfliktit nisi pas disa deklaratave të deputetit Strazimi. “Është e kotë të dilni para policëve dhe të thoni ‘luftoni krimin’, kur keni deputetë që kanë dalë nga bota e krimit dhe i keni sjellë në Parlament. gjithashtu, keni futur policë që janë shkarkuar nga ministrat tuaj”, deklaroi Strazimiri.

“Mund të na thoni se cilët janë këta persona?”, ndërhyri deputetja socialiste Olta Xhaçka.

“I kemi thënë disa herë dhe i këmi bërë publike. Do t’i shohim sërish se këtu do të jemi”, u përgjigj Strazimiri.

Replikat nga vendi u pasuan me akuzat dhe fyerjet jashtë mikrofonit, mes deputetëve të mazhorancës dhe Strazimirit, duke u zhvendosur më pas në korridoret e Kuvendit, ku konflikti u shndërrua në fizik.

Top Channel