“Konferenca gjyqësore ka heshtur”

11/07/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka përshëndetur reagimin e Këshillit të Konferencës Gjyqësore, por nuk e ka fshehur ironinë kur ka thënë se ky organ deri më tani ka heshtur për gjithë problematikën në sistemin e drejtësisë.

“Kjo deklaratë ka ardhur në kohën e duhur, por ky këshill duhet të reagonte kohë më parë për shkak të detyrës, kur gjyqtarët e Lushnjes nuk merrnin pagën prej 6 muajsh, kur studentët magjistratë rrinin në shtëpi dhe nuk futeshin në punë dhe për ata kryetarë të 21 gjykatave që për 5 vjet të tëra ishin vetëm të deleguar”, tha Naço.

Naço u shpreh se është përballur me heshtjen e kësaj konference për çdo projektligj që u ka dërguar për mendim.

“Unë në çdo rast për të gjitha pr/ligjet i jam drejtuar edhe kësaj konference që të shprehet me shkrim në lidhje me reformat që duhet të bëhen në sistemin e gjyqësor, por nuk kemi pasur ndonjë impakt, edhe për ligjin e KLD-së të dërguar 2 muaj më parë nuk kemi marrë asnjë reagim. Duan apo nuk duan”, ka thënë Naço

Ndërkohë gjatë ditës situata ka vijuar e tensionuar mes Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa ishte njoftuar mbledhja e radhës që kishte në rend të ditës edhe procedimet disiplinore të tre gjyqtarëve, ministri Naço mungoi çka u bë shkak që anëtarët të mos diskutonin kërkesat e tij për shkarkimin e Shtjefën Lleshit dhe procedimet ndaj Bujar Mustës dhe Ilir Pashjas.

“Kam kërkuar me shkrim disa ditë më parë që ditën e premte për shkak të axhendës së planifikuar nuk mund të jem dhe kërkova mirëkuptimin që të shtyhej mbledhja”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Por KLD nëpërmjet zëdhënësit Elis Kuçi akuzoi ministrin Naço se u bë shkak që të dështonte shqyrtimi i procedimeve ndaj tre gjyqtarëve.

“Këshilli e konsideron të qëllimtë mungesën e ministrit dhe jo serioze arsyet e kësaj mungese. Nëse ministri do të kishte si shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, eskluzivitetin që ai ka për fillimin e procedimit dispilinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet ta shfytëzonte me satandarte të dyfishti për të goditur vetë KLD, përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga ministri me transparancë dhe objektivitet dhe larg cdo dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre”, thuhet në deklaratën e KLD-së.

Në mbledhjen e saj KLD emëroi si kryetare të Gjykatës Krujë, Alma Kolgjokan dhe Etleva Shedullën si kryetare të Gjykatës Kavajë.

Top Channel