“300 ditëshi i dytë nisi me agresion”

11/07/2014 00:00

Pjesëmarrës në Kuvendin Zgjedhor të Partisë Demokratike në Durrës, kreu i opozitës, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po dhunon vlerat demokratike perëndimore, duke kërcënuar seriozisht të ardhmen europiane të vendit.

Duke iu referuar kërcënimit me jetë që, sipas tij, iu bë deputetit të Qarkut të Durrësit, Gent Strazimiri, me urdhër të kryeministrit, zoti Basha e cilësoi këtë si një agresion dhe kërcënim ndaj të gjithë opozitës.

“Dhuna dhe krimi kanë pushtuar sheshet dhe politikën. 300 ditë më parë filloi e keqja me rrënimin e policisë, vazhdoi me rrënimin e ekonomisë,  vazhdoi me rrënimin dhe kapjen e institucioneve, me narkotrafikun, me dhunën dhe vulgaritetin kryeministror, me vrasjet mafioze dhe eleminimet e elitës sipërmarrëse. E keqja nuk po ndalet. 300 ditëshi i dytë filloi me agresionin e krimit politik ndaj opozitës në parlament, agresionin ndaj fjalës së lirë, agresionin ndaj interesave të shqiptarëve. Prisni se nuk keni parë asgjë, paralajmeronte i marri nga foltorja e Kuvendit sepse e dinte destinacionin, e njihte mirë patologjinë e tij, urrejtjes e mllefit ndaj kundërshtarit”, tha Basha.

Duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kthyer parlamentin në strehën e krimit, kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë me çdo formë dhe mjet demokratik për të ndalur në kohë atë që e cilëson si “rilindje të së keqes”: “Tani është koha t’i themi ndal së keqes dhe të çohemi të gjithë për ta ndalur atë para se e keqja të triumfojë. I përkasim qytetërimit europian që nuk mund të përfaqësohet para botës me këtë pakicë mendjesh të sëmura mesjetare. Nuk duhet të lejojmë të keqen të pushtojë të tashmen, të pushtojë të ardhmen, të pushtojë vendin e fëmijëve tanë. Misioni ynë dhe i çdo atdhetari është t’u kthejmë shqiptarëve normalitetin.”

Top Channel