Vazhdimi i protestave të shqiptarëve në Maqedoni dhe dhuna që po shkaktohet ndaj protestuesve nga autoritetet maqedonase, ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të reagoje sërish, duke shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale.

Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës.

Përmes një komunikate, ekzekutivi kosovar ka kërkuar nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut duke mundësuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Po ashtu, Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve.

Qeveria e Kosovës i ka paralajmëruar shqiptarët në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve që vijnë prej segmenteve të  caktuara të cilat ndjekin axhenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare.

Prishtina zyrtare fton shqiptarët në Maqedoni që të mos bashkëpunojnë me këto segmente fetare dhe mos të bien në ndikimin e tyre. Qeveria e Kosovës kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore në Maqedoni, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet, për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndër-etnike.

Top Channel