Formulari i regjistrimit që çdo deputet i zgjedhur duhet të plotësojë para se të marrë zyrtarisht mandatin, krahas të dhënave personale përmban edhe përkatësinë politike ku ai aderon.

Në këtë rast, deputetët e koalicionit paszgjedhor, LDK-AAK-Nisma, po deklarohen se i takojnë një grupi të përbashkët parlamentar, një mënyrë kjo që në seancën konstituive, duke qenë grupi më i madh, të marrë postin e kryeparlamentarit që e synon Isa Mustafa.

“Ne jemi regjistruar në përkatësinë e grupit LDK-AAK-Nisma. Do kemi 47 deptuetë dhe përmes këtij grupi synojmë të realizojmë synimet tona. Votat janë dhe marrëveshja është që unë të jem i propozuar nga ky grup për kryetar Parlamenti”, ka deklaruar Mustafa.

Por a e njeh rregullorja e punës e Kuvendit krijimin e grupeve parlamentare para seancës konstituive dhe lëvizjen e deputetëve ndryshe nga sa janë deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

Ish-kryetari Jakup Krasniqi i referohet rregullores së re që nuk është miratuar në Kuvend, sipas të cilës tri ditë para se të thirret seanca duhet të zyrtarizohen grupet parlamentare. Sipas Krasniqit, deputetët kanë të drejtë me Kushtetutë të vendosin se cilit grup parlamentar do t’i takojnë.

“Së paku 3 ditë para seancës duhet të zyrtarizohen grupet, sepse drejtuesi i seancës, që i bie të jetë deputeti më i vjetër, kërkon nga grupet parlamentare që të propozojnë kandidatin për kryetar. Pra, grupet duhet të formalizohen para seancës”, ka thënë Krasniqi.

Pas 10 vjetësh për herë të dytë regjistrohet si deputet edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndonëse është në pritje të postit të kryeministrit. Haradinaj shkroi në Facebook se, së bashku me LDK-në, Nismën dhe të tjerët po nisin punën për një kapitulll dhe epokë të re për vendin.

Sot janë regjistruar gjithsej 39 deputetë të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së. Të premten do të vazhdojë regjistrimi i deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje dhe subjektit Nisma për Kosovën. Në dy ditë numri i deputetëve të regjistruar ka arritur në 71.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA