Organet greke të rendit kanë arrestuar pasditen e së enjtes edhe numrin dy të Agimit të Artë, përkatësisht zëdhënësin e kësaj partie, Ilias Kasidhiaris.

Megjithëse në fazën e parë të hetimeve ai nuk është arrestuar për mungesë provash, pasi është thirrur përsëri për një orë e gjysmë nga dy prokurorët e çeshtjes në gjykatë, atij i është dhënë masa e paraburgimit deri në zhvillimin e gjyqit, me akuzën e armëmbajtjes pa leje, me qëllim përforcimin dhe furnizimin me armë të një organizate kriminale.

Gjithashtu, dhënia e urdhër-arrestit është bërë pas gjetjes së shumë fotografive dhe materialeve të tjera në shtëpinë e tij, si dhe për faktin se numri dy i partisë neonaziste cilësohet si person i rrezikshëm për të kryer edhe akte të reja kriminale për arsye të karakterit të tij.

“Le të gjykojë populli grek atë që po ndodh. Për dy pushkë gjuetie, unë jam duke u akuzuar për furnizimin e një organizate kriminale. Kjo akuzë është qesharake dhe është e qartë se bëhet fjalë për persekutim politik. Unë e them përsëri, populli grek duhet ta gjykojë gjithë këtë proces”, ka deklaruar Kasidhiaris për agjencinë e lajmeve Reuters.

Bëhet fjalë për deputetin e nëntë të kësaj partie që çohet në burg, ku ndodhet dhe lideri i saj, nga gjithësej 18 deputetë që ka kjo forcë politike në parlamentin helen. Gjithashtu, nga 9 deputetët e tjerë që janë ende të lirë, shumica e tyre janë në arrest shtëpie, ose në liri me kusht.

Në Greqi pritet që së shpejti të filloje gjyqi i përfolur përsa i përket veprimtarisë së kësaj partie që është konsideruar nga drejtësia greke si organizatë kriminale.

Gjithësesi, në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato për Parlamentin Evropian para disa javësh, Agimi i Artë rriti fuqinë e tij duke u konsoliduar si forca  e tretë politike e vendit, që gëzon përkrahjen dhe votën e më shumë se gjysmë milion grekëve.

Top Channel