
Në konferencën zgjedhore të Vlorës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi ringritjen e forcës më të madhe të opozitës si një domosdoshmëri dhe urgjencë kombëtare për të shpëtuar vendin nga ajo që e quan si qeverisja e sundimtarëve injorantë, depresivë dhe të inkriminuar.
“24 vjet më parë ne hodhëm diktaturën dhe shembëm komunizmin. Ne zëvëndësuam sundimtarët dhe injorantët me intelektualët më të shquar.
10 vjet më parë ishim po ne demokratët që larguam nga pushteti qeverisjen më të korruptuar të Europës me një elitë politike dhe intelektuale me staturë perëndimore.
Shqipëria na ka kërkuar për punë të mëdha dhe ne e kemi nderuar sepse në ADN tonë politike qëndrojnë ndershmëria, aftësia dhe liria. Kohët kanë ndryshuar, por sfidat mbeten të njëjtat.
Dëgjojmë jehonën e vendit që thërret për ndihmë, na thërret ta shpëtojmë nga sundimtarët, nga depresivët nga delirantët dhe nga bota e krimit. Vendi kërkon dhe njëherë të mbështet në forcën, ndershmërinë dhe vlerat tona.
Ja pse këto zgjedhje kanë rëndësi kapitale. Ne nuk po zgjedhim thjesht disa kryetarë, por një sistem që do të transformojë përfundimisht profilin e lidershipit kombëtar”, deklaroi Basha.
Në Vlorë, ku nga 499 delegatë morën pjesë në proces zgjedhor 470 prej tyre, do të votohet sërish mes dy kandidatëve të parë që morën më shumë vota në garën për kryetar partie.
Top Channel