
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza ka kritikuar aktivitetin e AMA-s për vitin 2013, duke deklarurar dhe votën kundër të PS-së për raportin vjetor të punës së këtij institucioni.
“AMA, nga autoritet rregullator në fushën e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë, është shndërruar në një autoritet i çrregullimit të tregut të transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë. AMA nuk ia doli të zbatonte një nga detyrimet e saj kryesore, siç është ai i depolitizimit të institucionit, pasi u shndërrua në një seksion të ish-partisë në pushtet, ku më shumë se gjysma e punonjësve të këtij institucioni, 21 persona, kanë teserën e Partisë Demokratike dhe Forumit Rinor të saj”, ka deklaruar Peza.
Ai ka cilësuar si “detyrë imediate” për vitin 2014 plotësimin e katër vendeve vakante në AMA, që përfshirë me atë të kryetarit, kanë lënë gjithë institucionin pa kupolën drejtuese.
“Pak ditë më parë edhe Gjykata e Apelit e pezulloi nga detyra kryetaren e AMA-s, ndërsa disa muaj më parë nënkryetari dhë dorëheqjen. Ky institucion është sot pa kryetar, nënkryetar dhe 4 anëtarë. Nisur nga puna dhe veprimtaria e këtij institucioni gjatë vitit 2013, Partia Socialiste voton kundër punës dhe veprimtarisë së AMA-s”, ka thënë Peza.
Ndërkaq, mazhoranca ka votuar pro rezolutës së paraqitur në Kuvend prej saj, e cila rrëzonte punën e këtij institucioni gjatë vitit 2013, duke renditur shkeljet dhe mosarritjet e objektivave të këtij instiotucioni në vitin që lamë pas.
Top Channel