Janë përpjekur të ruajnë etikën me njëri-tjetrin ministri i Drejtësisë dhe zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pikërisht gjatë seminarit “për etikën në gjyqësor”, të organizuar nga Ambasada Amerikane, por nuk e kanë shmangur dot klimën e tensionuar mes tyre.

Ndërsa ministri Naço paralajmëroi reformë në drejtësi, zv/kryetari i KLD-së Cefa tha se kush flet për reformë, duhet të nisë nga etika.
“Reforma në drejtësi do të jetë prioritet i qeverisë për 300 ditët e ardhshme, së shpejti do zhvillohet një konferencë kombëtare e gjyqësorit për reformën”, deklaroi zoti Naço.

Ndërsa Elvis Cefa, zv/kryetar i KLD-së, tha: “Është e papranueshme që përfaqësues të lartë politikë që duhet të reformojnë drejtësinë, mbajnë qëndrime që vetëm etike nuk janë.”

Zv/ambasadori amerikan Henri Zhardin përmendi nga ana e tij progres-raportin e BE-së që kërkon pastrimin e gjyqësorit nga të korruptuarit: “Inspektorët duhet të hetojnë dyshimet që lindin për sjelljen e gjyqtarëve gjatë seancave gjyqësore. Është programi i parë për inspektimin. SHBA-ja ka sjellë ekspertë shumë të mirë ndërkombëtarë të kësaj fushe,  SHBA-ja është e interesuar për një  gjyqësor të pavarur dhe të lirë nga presioni politik. Gjyqësori duhet të jetë i lirë dhe gjyqtarët të vetëkontrollohen për të luftuar korrupsionin dhe për të larguar nga radhët e tij gjyqtarët jo etikë dhe të korruptuar. Progres-raporti i BE-së kërkon pastrimin e gjyqësorit nga pjesa e gjyqtarëve, të paaftë, të korruptuar dhe të atyre që japin vendime me ndikim politik.”

Në përfundim të takimit zv/kryetari i KLD-së komenti më hapur, deklaratat e një ditë më parë të Naços, i cili e konsideroi skandaloz vendimin e KLD-së për mos shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni dhe të gjyqtarëve të tjerë që ishin në rend dite: “Jemi të shokuar nga deklaratat thellësisht politike, por unë e prisja sepse ministri ishte i paaftë të mbronte kërkesat që solli e për këtë duhej të mbrohej para eprorëve”.

PS-LSI: KLD e rreshtuar me korrupsionin

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim denoncuan situatën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për të cilën thanë se është rreshtuar me korrupsionin. Blendi Klosi dhe Ylli Manjani mbështetën ndërhyrjen e Parlamentit pasi e cilësuan situatën të papreçedentë.

“PS mbështet deklaratën e ministrit të Drejtësisë dhe qeverisë që kërkon ndërhyrjen e Parlamentit. Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të distancohen nga anëtarët e KLD-së të zgjedhur nga Parlamenti, por që çdo ditë po bëhen përfaqësues të korrupsionit në drejtësi”, deklaroi Klosi.

“I bëjmë sërish thirrje KLD-së, gjyqtarëve dhe prokurorëve, se nuk mbrohet pavarësia e gjyqësorit nga korrupsioni. Korrupsioni është krim dhe duhet ndëshkuar. I paafti nuk të mbron, i paafti dëmton. Nxisim çdo punonjës të drejtësisë të denoncojë rastet e korrupsionit. Ajo KLD nuk mbron asgjë, kjo është e sigurtë”, tha nga ana tjetër Manjani. 

Partia Demokratike: Qeveria, sulm drejtësisë

Partia Demokratike e ka cilësuar si sulm ndaj drejtësisë deklaratën e qeverisë për të vënë në lëvizje Parlamentin ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti Eduard Halimi akuzoi kryeministrin Rama se kërkon ta kontrollojë drejtësinë për të mbuluar zyrtarët e tij të përfshirë në afera korruptive.

“Qeveria dhe ata që rreshtohen në llogore me të i kanë hyrë fushatës së sulmit ndaj drejtësisë dhe kërkojnë ta marrin atë nën kontroll, sepse zyrtarët e saj janë përfshirë kokë e këmbë në korrupsion, janë pjesë e krimit të organizuar në vend e atij ndërkombëtar”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, i gjithë ky reagim i qeverisë është një përpjekje e kryeministrit Rama për të mos dhënë llogari për presionin personal që po u bën gjyqtarëve, “duke i telefonuar e çuar mesazhe”.

“Kjo qeveri, që mban rekordin e korrupsionit, para se të drejtojë gishtin nga drejtësia duhet të japë llogari para qytetarëve dhe drejtësisë për problemet e rënda që ka me korrupsionin politik dhe ekonomik”, ka vijuar Halimi.

“PD nxit prokurorinë dhe gjyqësorin që të hetojnë, gjykojnë dhe dënojnë çdo zyrtar të vendit që është i përfshirë në korrupsion, në çdo kohë e kudoqoftë ai”, ka shtuar deputeti demokrat. 

Top Channel