Në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht matanë urës kryesore mbi lumin Ibër, nisën të mërkurën punimet për të ndërtuar një shesh i cili do të emërtohet Car Llazari.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar ashpër ndaj vendimit të drejtuesit të komunës të sapoformuar, duke e konsideruar këtë një kërcënim  për paqen dhe sigurinë.

Duke e dënuar ashpër këtë “akt kriminal”, Bahtiri tha se ky veprim i drejtuesve të komunës në veri të Mitrovicës bëhet me  prapavije politike, për të bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve.

“Ndërprerja për qarkullim të automjeteve të rrugës shekullore rajonale, që lidh Mitrovicën dhe rajone të tjera të Republikës së Kosovës me pjesë të tjera të vendit në veri dhe më tej në Serbi është e papranueshme. Një akt i tillë është akt vandal, kriminal dhe i dënueshëm me ligj. Për këtë arsye kërkoj nga organet kompetente të rendit dhe sigurisë, si ato vendore, ashtu edhe ato qeveritare e ndërkombëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore menjëherë dhe të ndërpresin punimet që po bëhen për bllokimin e kësaj rruge me rëndësi të veçantë për qytetarët e Mitrovicës, të rajonit dhe të vendit”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka apeluar tek banorët e të dyja pjesëve të qytetit dhe të të gjitha përkatësive etnike, që të jenë të qetë e të matur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos ndërmarrin asnjë hap që do të çonte drejt përshkallëzimit të gjendjes, sepse një gjë e tillë nuk do të ishte në interes të askujt.

Ndërkohë, nga ana tjetër e urës, drejtori për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç ka inspektuar punimet për ndërtimin e këtij sheshi.

Nga veriu ai ka porositur të gjithë ata që i quan qytetarë të Serbisë dhe të nacionalitetit serb që jetojnë në Kosovë, se nuk kanë arsye të frikohen nga kërcënimet e Prishtinës, të cilat sipas tij kanë pasur mundësinë t’i dëgjojnë ditë më parë nga EditaTahiri në lidhje me prishjen e të ashtuquajturit “parku i paqes”.

Top Channel