
Në një takim me banorët e zonës së “Don Boskos”, ku ndodhen 14 pallate të pa hipotekuara të shoqërisë “Hauai”, kryeministri Edi Rama u bëri me dije banorëve se do të kenë dy muaj kohë për të plotësuar dokumentacionet që më në fund të kenë titullin e pronëisë.
“Këto janë pallate pa leje jo për fajin tuaj, që janë shitur pa dokumenta dhe për të cilat investitori nuk ka shlyer asnjë detyrim ndaj shtetit. Janë 210 pallate të numëruara që kanë të njëjtin problem. Pavarësisht kësaj, ju do të keni 2 muaj kohë për të kryer gjithë proçedurat e nevojshme për të përgatitur dokumentacionin, për të cilat do t’ju asistojë ALUIZNI”, deklaroi Rama.
Por ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, nuk do të jenë më banorët ata që do të shkojnë në zyrat e ALUIZNI-t. “ALUIZNI do asistojë çdo familje. Nuk do të shkoni më ju pranë ALUIZNI-t për dokumentat, por do të vijë ALUIZNI pranë jush. Nuk do ketë më përsëritje të asaj praktike të shëmtuar, fut dokumentat, humb dokumentat. Apo jep para për t’i futur e për t’i nxjerrë”, tha Rama.
Kryeministria Rama e vuri edhe njëherë theksin tek suksesi i procesit të legalizimit. “Ne kemi ardhur sot këtu sepse në 300 ditë kemi bërë më shumë legalizime se ç’kanë bërë atë në 8 vjet”, tha Rama. Gjatë këtij takimi, shefi i qeverisë shpërndau edhe disa certifikata pronësie.
Top Channel