Në degen e Partisë Demokratike të Vlorës mbahen votimet për zgjedhjen e kryetarit të ri, por, që në nisje, katër kandidatë janë tërhequr nga gara.

Një prej tyre akuzoi për manipulim të procesit zgjedhor, duke akuzuar edhe të deleguarin Enkelejd Alibeaj.

“Filloi, mbajti fjalimin kryetari i partisë Basha, e më pas i deleguari i Tiranës lexoi një listë me emrat e kandidatëve që ishin në garë. Në momentin e leximit të listës, shumë nga delegatët dhe ne kandidatët u habitëm, pasi lista kishte edhe 4 të shtuar, të cilët ishin hequr më parë me vendim kryesie, por ishin shtuar përsëri në minutën e fundit. Të gjithë delegatët në sallë, duke qenë të papërgatitur për kë do votojnë, duke mos njohur listat e kandidatëve për kryetarin e ardhshëm të partisë së tyre, unë e pash të arsyeshme të jepja dorëheqjen. Ose të shtyheshin në një datë tjetër. Nuk jam kundër shtimit të emrave të rinj, le të shtoheshin edhe 10 të tjerë, por lista të bëhej e ditur më parë, pasi kjo është garë brenda partisë dhe nuk duhet të ketë asgjë të fshehtë. Unë isha në garë, kisha mbështetësit e mi, shpresoja në një fitore pa balotazh, por garën dhe procesin unë e shikoj të manipuluar. Kam dëgjuar që janë tërhequr edhe kandidatë të tjerë, por ata duhet të japin arsyet e tyre për këtë veprim”, tha Geron Bunbardhi, ish-kandidat për PD-në e Vlorës.

Kandidati i dorëhequr tregon se ku janë bërë – sipas tij – manipulimet e procesit.

“Procesin e shikoj të manipuluar edhe për arsyen e mungesave në lista, ka shumë delegatë që nuk e gjejnë emrin në lista, shumë prej delegatëve kur u shpallën emrat ishin të papërgatitur edhe për 4 kandidatët e tjerë. Sic e shikoni këtu s’ka shumë votues, ndaj unë parashikoj që nuk do të ketë pjesëmarrje të lartë sic pritej. Ishin rreth 480 delegatë që do votonin, por shoh një pjesëmarrje të ulët, shumë prej tyre u larguan nga salla, jo për arsyen e tërheqjes sime, por edhe të kandidatëve të tjerë”, tha Geron Bunbardhi.

Pas largimit të kandidatëve të dorëhequr dhe disa prej mbështetësve të tyre, në ambientet e teatrit në Vlorë vijoi procesi zgjedhor.

Top Channel