
Për më shumë se 120 minuta ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbrojtur përpara Komisionit të Ligjeve projektligjin e ri për Policinë e Shtetit.
Pjesa më e madhe e debateve në komision lidhej me propozimin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilën, si nga opozita dhe mazhoranca, u kërkuan më shumë sqarime.
“Kush është qëllimi zoti ministër që ju me këtë zell vini Policinë e Shtetit dhe në mënyrë të veçantë Byronë Kombëtare të Hetimit jo thjesht në përplasje flagrante me legjislacionin epror, por dhunon të drejta dhe liri individuale. Kush është qëllimi juaj politik?”, tha Oerd Bylykbashi.
“Grupi i punës ka pasur një sërë prokurorësh pjesëmarrës në tavolinën e hartimit të këtij ligji. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me ju dhe me deputetet e tjerë të këtij komisioni me Kuvendin, për t’i dhënë Byrosë Kombëtare të Hetimit kapacitetin për të hetuar korrupsionin me jakë të bardhë dhe kollare, kriminalitetin që shkon deri në nivelet më të larta. Nuk e kuptojë që të jetë Byroja kombëtare e Hetimit dhe të hetojë ata që korruptojnë nivelet më të lartë apo krimin e organizuar në nivelet më të larta. Ju garantoj që jo vetëm që nuk duam dhe as ligji nuk bie ndesh me kodin penal, por e mishëron dhe e materializon legjislacioni penal për ta bërë efektivë në mënyrë të atillë që njerëz me pushtet të vihen përpara drejtësisë për ngjarje për ngjarje kriminale”, u shpreh ministri Tahiri.
Relatorja e këtij projektligji, deputetja socialiste, Ermonela Felaj deklaroi se Byroja Kombëtare e Hetimit, që vjen si një risi në këtë projekt ligj, duhet të ketë fuqi hetimore më gjerë.
Sakaq Fatmir Xhafaj, kreu i Komisionit të Ligjeve shprehu shqetësimin e ndonjë mbivendosje të institucioneve.
“Shqetësimi im është ajo çfarë ju keni dashur të realizoni me këtë strukturë dhe duke pasur parasysh që nuk ndryshoni kodin e procedurës penale. Vazhdoni të ruani të njëjtën shpërndarje të policisë gjyqësore. Nuk e zgjidh problemin e policisë gjyqësore kjo, nuk zgjidh shumë gjëra“, tha Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Ligjeve.
“Unë mendoj, në kushtet që jemi, kjo që kemi bërë me Byronë Kombëtare të Hetimit është maksimumi që kemi bërë për t’i dhënë një standard tjetër luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit elitar. Ajo që ne kemi bërë sot është që t’i përgjigjemi me sa kemi mundësi fushës së veprimtarisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të ngremë një strukturë të specializuar në Policinë e Shtetit që do të jetë në gjendje në mënyrë të fokusuar tematikisht dhe strukturalisht, t’i përgjigjet sfidave imediate që kemi ne në luftën kundër korrupsionit”, shtoi Saimir Tahiri.
Projektligji i propozuar nga qeveria, sipas ministrit Tahiri, garanton një polici më demokratike e bashkëkohore.
Karriera në polici tha Tahiri do të realizohet në bazë të performancës dhe testit vjetor për çdo efektiv. Për të parandaluar veprat e mundshme kriminale projektligji parashikon marrjen e shenjave të gishtave dhe ADN-s për çdo efektiv të policisë.
Top Channel