Në konferencën zgjedhore të Pukës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi kryeministrin, Edi Rama, dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se kanë instaluar në vend sistemin e korrupsionit politik, në përpjekje për të vendosur nën kontroll çdo pushtet dhe çdo institucion të pavarur.

Duke dënuar si të papranushëm ato që opozita i cilëson si fyerje të kryeministrit ndaj punonjësve të shtetit shqiptar, zoti Basha foli për zbatimin e standardit më të keq nga kryeministri Rama.

“A nuk je ti, që ke emëruar njerëzit e skutave më të errëta të krimit, drejtues në poste të rëndësishme të administratës. Që ke emëruar të dënuarit për drogë, që ke emëruar dhe ke zgjedhur të kërkuarit për rrëmbim fëmijësh në poste drejtuese të administratës. Ti që akuzon drejtësinë për korrupsion, a nuk je ti, që demonstrove shkallën më të lartë të korrupsionit?! Korrupsionin politik me shit-blerjen e filmuar të votave në Korçë dhe që pastaj e mbylle çështjen duke e amnistuar. Dhe që sot i mohon opozitës të drejtën për transparencë, që ia ka dhënë Kushtetuta e sovrani, me komisione parlamentare hetimore. Ti që akuzon drejtësinë për korrupsion, a nuk je ti, që me njerëzit e tu vodhe serverin e të dhënave tatimore dhe prap mohove transparencën parlamentare?!”, u shpreh kreu i PD, Basha.

Duke folur për standarde, Lulzim Basha thotë se standardet më të mira demokratike po zbatohen në procesin e ringritjes së Partisë Demokratike, ku transparenca dhe vota e lirë janë në themel të vendimmarrjes në forcën më të madhe të opozitës.

Top Channel