Komandanti suprem i Forcave Aleate për Europën, gjenerali Philip Breedlove, i pyetur nga gazetarët në Tiranë gjatë një konference për shtyp në lidhje me akuzat ndaj ushtrisë shqiptare për përfshirje në trafik droge, tha se, qeveria arriti ta adresojë në mënyrën e duhur këtë çeshtje. Breedlove u shpreh se vendi ka lidershipin e duhur.

“Unë i kam ofruar përgëzimet e mia ministres së Mbrojtjes, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe më vonë kryeministrit, për mënyrën se si e adresuan këtë çështje. Unë besoj se keni lidershipin e duhur për ta çuar me tej Shqipërinë”, deklaroi Breedlove.

Më pas oficeri i lartë shpjegoi përpara medias ndryshimet që priten brenda vitit në Aleancë, pas samitit të Uellsit në shtator, si edhe vlerësimet e tij për ushtrinë shqiptare.

“Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në Aleancë, duke kontribuar në stabilitetin e fituar me mund në Kosovë, por edhe me trupat e dërguara në Afghanistan, ku është bërë progres i madh. Ne jemi duke u përballur me një paradigë të re të sigurisë në Europë. Ne kemi filluar të përshtatemi në këtë mjedis të ndryshuar me një seri masash, duke rritur aktivitetin tonë në ajër, tokë dhe det në të gjithë Europën. Ndërsa samiti i shtatorit po afron, drejtuesit tanë politikë do marrin në konsideratë mënyrat për të siguruar që NATO të mbetet më reaguese në një plan afatgjatë ndaj kërcënimeve potenciale të jashtme dhe të afërta. Shqipëria do luajë rolin e saj në këto diskutime”, theksoi Breedlove.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u shpreh pas takimit me gjeneralin se e informoi atë në lidhje me hapat që qeveria shqiptare është duke ndërmarrë.

“Përfitova nga rasti ta informoj gjeneralin Breedlove për procesin e reformimit, që ka si qëllim forcimin e institucioneve, të ekonomisë, luftimin e korrupsionit dhe trafiqeve. Gjithashtu, e informova zotin Breedlove për reformimin e FA, rolin që Shqipëria luan në rajon por dhe më gjerë”, deklaroi Kodheli.

Më vonë gjatë së mërkurës, gjenerali Breedlove është takuar me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, i cili ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Top Channel