Duket se lëvizja Vetëvendosje nuk e ka më në pikëpyetje mbështetjen për qeverinë që mund të krijohet nga LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Për Kosovën. Liderët e katër subjekteve politike u takuan një ditë pas caktimit të datës së seancës konstituive në selinë e lëvizjes Vetëvendosje ku u diskutua për zhvillimet aktuale.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sqaroi se mes katër partive ka përafrim qëndrimesh edhe për çështjen e dialogut Prishtinë-Beograd, për çka shtoi se Vetëvendosje është për dialog me parime duke përfshirë këtu vendosjen e kushteve për Serbinë nga ana e Kosovës. Sipas Kurtit, dialogu deri më tani ka qenë me kushtet e Serbisë.

“Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi kundër dialogut pa parime. Të mos harrojmë që çdo dialog ka kushte, por gjithmonë dialogu ka qenë me kushtet e Serbisë. Ne mendojmë që duhet që Kosova ta ripozicionojë veten e saj në funksion të shtetndërtimit dhe dinjitetit të qytetarëve”, deklaroi Kurti.

Kurti njoftoi se takimet me kryetarët e tri subjekteve të tjera do të shpeshtohen dhe pjesë e tyre do të jenë edhe ekspertët e fushave të ndryshme, të cilët do të punojnë deri në konstituimin e seancës së Kuvendit.

Por, ajo për të cilën Vetëvendosje nuk ka ende përgjigje është nëse do të bëhet apo jo pjesë e qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.  

Top Channel