Protestat, që nisën në shenjë revolte kundër akt-vendimit të gjykatës për procesin gjyqësor “Monstra”, po nxjerrin në sipërfaqe edhe shumë probleme të tjera të pazgjidhura të shqiptarëve, thonë njohësit e rrethanave politike në Shkup.

Ata vlerësojnë se protestuesit, në shenjë pakënaqësie nga përfaqësuesit e tyre politik, kanë zgjedhur rrugën për të artikuluar kërkesat e tyre. Eksperti juridik Osman Kadriu është i mendimit se, shteti duhet të kuptojë drejt porosinë e këtyre protestave dhe të tregojë gatishmëri për kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Këto protesta nxjerrin në pah faktin që shumë çështje, ende nuk janë të rregulluara në mënyrën e duhur me Kushtetutë, ndërsa disa të tjera nuk janë fare të rregulluara me Kushtetutë. Këtu na lind një listë e çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me statusin juridik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni. Ka nevojë të ndryshohet Kushtetuta, duke filluar nga preambula e Kushtetutës, e cila nuk është e harmonizuar me ‘Marrëveshjen e Ohrit’. Ne duhet ta fitojmë njëherë e përgjithmonë statusin, se jemi shtetformues në Maqedoni”, tha Osman Kadriu, ekspert juridik.

Analisti Afrim Gashi vlerëson se shqiptarët, që po dalin në protesta, ndjehen të papërfaqësuar si duhet në qeverinë e Shkupit. Sipas tij, protestuesit dërgojnë porosi edhe te pushtetarët maqedonas, se nuk lejojnë që vullneti i tyre të manipulohet.

“Me rëndësi është mesazhi, që është dërguar te shteti dhe te përfaqësuesit tanë, se shqiptarët në Maqedoni janë të papërfaqësuar politikisht dhe, nëse dikush mendon se i ka marrë votat me axhendë të rreme dhe ulet në një kolltuk e me atë është zgjidhur çështja kombëtare, atëherë këto protesta tregojnë të kundërtën. Nuk mundet askush më, të luajë me fatin e shqiptarëve. Nga ana tjetër, porosia ndaj qeveritarëve maqedonas është se, nuk duhet të mendojnë se i kontrollojnë të gjithë shqiptarët, nëse i kontrollojnë partitë e tyre politike”, tha Afrim Gashi, analist.

Intelektualët shqiptarë thonë se protestat janë e drejtë demokratike e gjithkujt, megjithatë, bëjnë thirrje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe pa dhunë. Ndërkohë, protestat pritet të vazhdojnë të mërkurën në Kumanovë, ndërsa të premten në Shkup.

Top Channel