Vazhdojnë polemikat në TKOB. Një pjesë e artistëve protesojnë, sepse nuk janë paguar për punën e tyre gjatë muajit Qershor, ndërkohë që nga Ministria e Kulturës dhe drejtori i institucionit në fjalë, Ilir Kerni, bëhet me dije se rrogat e punonjësve që nuk janë paguar, 40% e artistëve të TKOB, nuk janë dhënë për shkak se ata nuk janë ende në marrëdhënie juridike të rregullt, me institucionin ku punojnë.

“Ka tre muaj e gjysmë që ne kemi bërë diskutime, debate, si të arrijmë më mirë dhe më favorshëm për artistët dhe, në këtë moment, jemi në zbatimin e strukturës që ka ardhur nga qeveria”, u shpreh Ilir Kerni, drejtor i TKOB.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe drejtuesit të TKOB, pas rregullimit të marrëdhënies juridike me institucionin, që sipas tyre është në përshtatje me strukturën e re të përgatitur në bashkëpunim me artistët, gjatë këtyre muajve të fundit, do t’u dorëzohet pagesa e Qershorit, ashtu sikurse është bërë me 12 artistë, që nënshkruan kontratën gjatë këtyre dy ditëve.

“Nuk ka njeri të cilit do t’i hahet haku. Kjo është shumë e qartë”, theksoi drejtori Ilir Kerni.

Top Channel