
Nuk ka negociata mes Tiranës dhe Athinës për marrëveshjen e detit.
Ndërsa është raportuar në media se zyrtarë të vendit fqinj kanë pohuar fillimin e bisedimeve mes dy vendeve për këtë çështje, ambasadori jonë në Greqi, Dashnor Dervishi, pohon për Top Channel se ka avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është mbërritur ende tek negociatat.
“Nuk ka negociata direkte për këtë çështje, ndërkohë që ka përgatitje për të gjetur zgjidhje. Në të dy ministritë po punohet për alternativat se si mund të gjendet konsensusi”, theksoi zoti Dervishi.
Pavarësisht deklaratës së ndonjë zyrtari atje apo ndonjë shkrimi në mediat e vendit fqinj se shteti grek i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë Berisha, ambasadori i Shqipërisë në Athinë thotë se për palën shqiptare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyesi i zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“Në Athinë është bërë e qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese së Shqipërisë është i panegociueshëm dhe Athina e ka të qartë se Shqipëria është e gatshme të rinegociojë marrëveshjen mbi bazën e respektimit të gjithë ligjeve të vendit dhe Kushtetutës shqiptare”, shpjegon Dervishi.
Për ambasadorin Dervishi, zgjidhjet e të gjitha çështjeve do të derivojnë nga heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë që Greqia ka ende në fuqi, ku në këtë drejtim ai pohon se pala greke ka avancuar në njohjen e tij si problem: “Është një progres i dukshëm. Nëqoftëse deri dje Ligji i Luftës pëshpëritej si emërtim, sot është shtruar çështje për zgjidhje
Diplomati ynë në Athinë hedh poshtë interpretimet që i janë bërë deklarimeve të ministrit të Jashtëm grek Venizellos për bllokim të hapjes së negociatave Shqipëri-BE, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e marrëveshjes së detit: “Nuk besoj pasi vetë integrimi nuk përmban kushtëzime dhe lëshime. Nuk shkohet me kushtëzime drejt BE-së.”
Ambasadori që është thirrur për të raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtmë për çështjet e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë, pohoi se me qeverinë e re në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në fazën e kërkimit të formulave të zgjidhjes, ku nuk ka më asnjë rezervë dhe tabu, por të gjitha çështjet janë të hapura. Por, ajo që nuk ka përgjigje është koha e zgjidhjes së tyre, kur ambasadori thotë se në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare nuk flitet me afate.
“Shpresoj dhe dëshiroj që e gjithë paketa e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi të zgjidhet dhe stabilizohet përsa kohë që unë kam mandatin në Greqi, por nuk e di a do të realizohet”, theksoi ambasadori Dervishi.
Top Channel