
Një ekuipazh i marinës amerikane nisi shkatërrimin e armëve kimike siriane në bordin e anijes “Cape Ray” në Mesdhe. Sipas Pentagonit, asgjesimi i 600 tonë armëve të tilla kërkon rreth 2 muaj kohë.
“Cape Ray” është e pajisur me një sistem që përdor substanca si uji dhe hidroksidi i natriumit për t’i bërë kimikatet të sigurta që të depozitohen në kontenierë komercialë.
Ajo ndodhet në ujëra ndërkombëtare dhe siç garantojnë zyrtaret amerikanë, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që operacioni nuk do të përbëjë rrezik serioz për mjedisin.
Materiali i përpunuar do të transferohet në Finlandë dhe Gjermani për depozitimin përfundimtar. Siria ra dakord të dorëzonte armët e saj kimike në bazë të një marrëveshje të vitit të kaluar të arritur me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, e cila parandaloi një sulm
të mundshëm ndërkombëtar ndaj regjimit të Bashar al Assad. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur çarmatimi i armëve të shkatërrimit në masë në një vend që ndodhet në mesin e konfliktit të armatosur.
Gjatë transportimit të armëve kimike në det ishte parashikuar që në rast se ndodhte ndonjë aksident, një ekip specialistësh finlandezë qëndronte në gadishmëri për të ndërhyrë.
Britania e Madhe është shprehur më parë se dëshiron të eleminojë 150 produkte kimike të Sirisë, të cilat janë gjithashtu të përshtatshme për prodhimin e armëve kimike. Shumë vende të botës kanë derdhur mjete në dy fondet e veçanta të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.
Për këtë qëllim, Bashkimi Europian ndau 12 milionë euro shtesë ndërsa Gjermania edhe tre milionë të tjera, ndërsa të gjithë procesin e asgjesimit, ONAK-u vetë e cilëson një përpjekje të lavdërueshme shumëkombëshe.
Top Channel