Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në Portugali, ku u prit nga Presidentja e Asamblesë së Republikës së Portugalisë, Esteves.

Gjatë takimit, dy homologët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dypalëshe. Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë, për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë në drejtim të anëtarësimit në NATO, liberalizimit të regjimit të vizave dhe, së fundmi, për miratimin e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Nga ana e saj, Presidentja e Asamblesë së Portugalisë, Esteves, siguroi Metën për mbështetjen portugeze në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe për vullnetin maksimal për të forcuar bashkëpunimin parlamentar dypalësh, por edhe në kuadër të platformave rajonale, siç është Unioni për Mesdheun.

Gjithashtu, Meta vlerësoi edhe mbështetjen, që Portugalia i jep Kosovës, duke theksuar se ky është një kontribut i vyer për paqen dhe progresin e rajonit të Ballkanit. Kryetari i Kuvendit, Meta, e ftoi zonjën Esteves për një vizitë në Shqipëri, duke shprehur bindjen se të dy Parlamentet kanë hyrë tashmë në një fazë të re bashkëpunimi.

Top Channel