
9 militantë palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, pas sulmeve me raketa mbi Izrael. Krahu i armatosur i grupit të militantëve palestinezë të Hamasit bëri të ditur se 6 prej luftëtarëve të tyre kanë humbur jetën në një sulm të vetëm pranë Rafah-ut në Jug.
3 të tjerë ndërruan jetë në sulme të tjera ajrore izraelite, në kundërpërgjigje të raketave të hedhura dhe hedhjes së mortajave ndaj Izraelit.
Tensionet në rajon janë të larta, pas vrasjes së adoleshentit palestinez Mohammed Abu Khdair. Të dielën, policia tha se janë arrestuar 6 të dyshuar hebrej, duke shtuar se Mohammed Abu Khdair me shumë mundësi është “vrarë për shkak të kombësisë së tij”.
“Nuk do t’i lejojmë ekstremistët e asnjërës anë të përflakin rajonin e të shkaktojnë gjakderdhje”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.
6 hebrenj të dyshuar për vrasjen e Mohammed Abu Khdairit u arrestuan të dielën, por për shkak të hetimit, policia nuk dha detaje të mëtejshme. Kryeministri Netanyahu premtoi kapjen dhe nxjerrjen e vrasësve të Khdairit përpara drejtësisë. 16 vjeçari palestinez, sipas rezultateve të para të autopsisë, ishte djegur i gjallë.
Një gjykatës izraelit liroi nga burgu kushëririn e tij 15-vjeçar amerikan, por urdhëroi që ai të mbahet në arrest shtëpie nëntë ditë. Tariq Ebu Khudair kishte shkuar për të vizituar familjen në Jeruzalemin Lindor, kur u ndalua të enjten, e dy ditë më vonë, një video qarkulloi në internet duke treguar dy policë kufitarë të Izraelit, që e godisnin me grushta.
Vrasja e palestinezit erdhi pas vrasjes së 3 adoleshentëve izraelitë në Bregun Perëndimor, trupat e të cilëve u gjetën 1 javë më parë. Izraeli thotë që dy anëtarë të grupit militant palestinez Hamas kanë marrë peng dhe më pas kanë vrarë të rinjtë. Hamas ka mohuar çdo përfshirje.
Top Channel