Prishtina, apel Gruevskit dhe shqiptarëve

07/07/2014 00:00

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet dhe qytetarët në Maqedoni, që të përmbahen nga dhuna, duke theksuar se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i “Marrëveshjes së Ohrit”, është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni.

Ky reagim i qeverisë kosovare ka ardhur pas protestave, që rezultuan të dhunshme, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra”.

Në komunikatën e qeverisë së Kosovës thuhet se respektimi i të drejtave fundamentale, kushtetuese dhe institucionale, është mënyra e vetme për të evituar përshkallëzimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin.

Republika e Kosovës është e përkushtuar në proçesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë, që të përmbahen nga dhuna, si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike.

Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetëzgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët – sipas Qeverisë së Kosovës, – e kanë për obligim që t’i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare.

Top Channel