Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekoruar me titullin “Nënë Tereza”, Dom Lucian Avgustinin, Ipeshkvit i Dioqezës së Sapës, në Vaun e Dejës.

Ceremonia e dekorimit është bërë në katedralen “Nënë Tereza”, në Vaun e Dejës, në prani të shumë besimtarëve, që ndiqnin meshën e së dielës.

Në fjalën e tij, presidenti falënderoi klerikun Dom Lucian Agustinin për misionin e tij human dhe çmoi punën e klerikëve të të gjitha besimeve, për bashkjetesën e përkryer fetare që ka vendi ynë dhe, me këtë harmoni bashkëjetese duhet ta presim dhe Papa Françeskun, i cili do të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit Shtator, u shpreh presidenti Nishani.

Dom Lucian Avgustini u shpreh i nderuar për titullin e lartë “Nënë Tereza” dhe tha se titulli shkon për të varfërit, të sëmurët, të përndjekurit dhe shtresës vulnerable, të cilëve ai do vazhdojë t’u shërbejë në misionin e tij human.

Dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës e ka selinë e vet në Vaun e Dejës. Në këtë dioqezë kanë shërbyer emra të mirënjohur si At Frang Bardhi, Dom Ndre Mjeda, Pjetër Zakaria, Anton Radovani etj.

Top Channel