Nis diskutimi i ligjit antiduhan

07/07/2014 00:00

Ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit ka mbërritur në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka prezantuar ndryshimet që kanë të bëjnë me rritjen e masës së gjobës për pronarët e lokaleve dhe administratorët e tyre që nuk respektojnë ligjin.

E re në këtë projektligj është se për herë të parë do të ndëshkohet me gjobë në masën 5 mijë lekë edhe klienti që konsumon duhan në ambiente të mbyllura.

Për respektimin e këtij ligji angazhohen të gjithë inspektoriatet që funksionojnë në vend si ai shëndetësor, mjedisor, AKU e të tjera, të cilët kanë të drejtën e gjobës. Ndonëse e mirëpresin respektimin e ligjit antiduhan, deputetët  kanë qenë skeptikë në respektimin e tij.

Deputeti i LSI-së Petrit Vasili, ish-ministër i Shëndetësisë është skeptik në zbatimin e ligjit për herë të tretë pasi sipas tij nuk kanë ndryshuar mekanizmat e vjeljes së gjobës. Nga ana tjetër, tha ai, përfshirja e të gjithë inspektoriateve zbeh përgjegjësitë e gjithësecilës. Ndërsa Vangjel Tavo, edhe ky ish-ministër i Shëndetësisë kërkoi që të ardhurat nga gjobat të mos shkojnë për buxhetin e shtetit, por të kenë destinacion shëndetësinë.

Deputeti i PD-së, Bedri Mihaj, kërkoi që në projektligj të kërkohen vende të përcaktuara për duhanpirësit. Projektligji është duke u diskutuar në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Medias e më pas do të diskutohet sërish nen për nen në Komisionin e Shëndetësisë.

Top Channel