
Kancelarja gjermane Angela Merkal ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me arrestimin e një të dyshuari si spiun i SHBA në inteligjencën gjermane.
Duke folur për këtë çështje gjatë vizitës që po zhvillon në Kinë, zonja Merkel ka thënë se, nëse dyshimet për një agjent të dyfishtë dalin të vërteta, atëherë kjo do të përbënte një thyerje serioze të besimit mes palëve.
“Do të ishte në kontradiktë të plotë me atë që unë konsideroj bashkëpunim në mirëbesim”, ka thënë Merkel në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin kinez.
Aktualisht kancelarja po zhvillon ditën e dytë të vizitës së saj treditore në vendin aziatik, ku në qendër të takimeve të saj kanë qenë çështje të lidhura me marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Javën e kaluar një punonjës gjerman në shërbimin sekret për çështjet e jashtme, BND, u arrestua nën dyshimin se spiunonte në favor të Shteteve të Bashkuara.
Personi në fjalë dyshohet se në dy vjet u ka dorëzuar amerikanëve mbi 200 dokumente në shkëmbim të 25 mijë eurove.
“Nëse lajmet rezultojnë të vërteta, atëherë do të jetë një problem shumë serioz”, theksoi Merkel. Ndërkohë, ministri i Brendshëm gjerman ka kërkuar nga administrata amerikane sqarime lidhur me rastin.
Marrëdhëniet Gjermani-SHBA janë “lënduar” që kur u zbulua se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA, kishte përgjuar telefonatat e bëra nga zonja Merkel me celularin e saj.
Top Channel