“Jo më ndërtime në zonat historike”

07/07/2014 00:00

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese kaloi në parim mes debatesh të forta projektligjin për “Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

Një nga pikat që ngjalli më shumë diskutime me deputetët e opozitës ishte ajo e transferimit të së drejtës së zhvillimit nga zonat historike në ato në zhvillim me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga kaosi i ndërtimeve.

Adelina Greca, drejtoreshë e Agjencisë së Planifikimit të Territorit, tha: “Pronarët që zotërojnë prona në një zonë të trashëgimisë kulturore nuk mund ta përdorin të drejtën e tyre atje ku duhet të ruhen shtëpitë karakteristike, por në një zonë tjetër.”

Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, theksoi: “Kjo çështje nuk zgjidhet menjëherë. Me ligjin e planifikimit të territorit nuk përjashtohet asnjë kategori.”

Ministrja Gjermeni shprehu gatishmërinë për të forcuar masat ndaj ndërtuesve apo arkitektëve që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin, duke parashikuar edhe heqjen e licencës, siç u kërkua nga grupet e interesit.

Top Channel