Gjeorgji, ndërron jetë ish-presidenti sovjetik

07/07/2014 00:00

Eduard Shevardnadze, ish-president i Gjeorgjisë dhe ish-ministër i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik, ka ndërruar jetë gjatë së hënës, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, bën të ditur asistenti i tij personal.

Shevardnadze, 86 vjeç, luajti një rol jetësor në dhënien fund të Luftës së Ftohtë në rolin e ministrit të Jashtëm, e më pas udhëhoqi vendin e tij të lindjes, Gjeorgjinë, në vitet e para e të stuhishme pas Pavarësisë.

Ndihmësja e tij, Marina Davitashvili, tha për Reuters se ai humbi betejën me sëmundjen e rëndë. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme, por agjencia ruse e lajmeve “Interfax”, raporton se ai ka ndërruar jetë gjatë mesditës, me orën lokale.

Si ministër i Jashtëm i liderit të fundit të sovjetikëve, Mikhail Gorbachev, Shevardnadze mbikqyri shkrirjen e marrëdhënieve me Perëndimin, përpara se të rrëzohej Muri i Berlinit dhe shpërbërjes së BS-së.

Ai ishte një nga baballarët intelektualë të “rindërtimit”, politikës reformuese për të cilën Gorbachev tha se u bind prej tij gjatë një shëtitjeje në brigjet e Detit të Zi, edhe pse u grindën më pas.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Shevardnadze u rikthye në Gjeorgji duke u bërë president i vendit, duke sjellë kështu stabilitet në një republikë të sapodalë nga një periudhë anarkie, teksa protestuesit dilnin rrugëve me kallashnikovë nëpër duar.

Ai u rrëzua nga pushteti në vitin 2004, nga Revolucioni i Trëndafiltë. Gjatë viteve të fundit të jetës, ai jetoi në rezidencën e tij dhe nuk ka udhëtuar shumë.

Top Channel