
Autoritetet në Kaliforni kanë nisur një hetim mbi pamjet e shfaqura në Youtube, ku një polic shihet duke qëlluar me grusht në kokë e fytyrë një grua të shtrirë në tokë. Nga filmimi, rezulton që efektivi ta ketë goditur gruan me ngjyrë të paktën 11 herë.
Policia thotë se ajo duhej frenuar disi, duke qenë se po vinte në rrezik veten dhe drejtuesit e automjeteve, pasi ishte duke ecur në mes të një rruge me qarkullim të madh makinash, në Perëndim të Los Angeles-it.
Incidenti u regjistruar nga një person, që ishte duke kaluar me automjetin e tij pikërisht në ato momente.
“Polici e bombardoi me grushta, – tha për “CBS Los Angeles” David Tiaz, i kthyer në dëshmitar rastësor të ngjarjes. – Nëse shikon videon, ka 10 deri në 15 goditje. Edhe në kokë, jo vetëm në trup, – shton ai, – dhe ishin grushta të fortë. Për mua është e patolerueshme, çfarëdo që ajo grua të kishte bërë”.
Sipas “Associated Press”, efektivi i përfshirë në incident është pezulluar përkohësisht, ndërsa çështja është në hetim. Emri i tij nuk u bë publik. Episodi është dënuar me forcë nga liderë të të drejtave civile, të cilët u shprehën të tronditur e të indinjuar nga veprimi i dhunshëm i një zbatuesi të ligjit.
Top Channel