Partia Demokratike ka denoncuar përjashtimin e tre ambasadorëve të vendit tonë nga Konferenca me trupin diplomatik të organizuar në Tiranë.

“Në këtë konferencë të organizuar me trupën tonë diplomatike, ka pasur vetëm një mesazh, i cili ka qenë politik nga fillimi në fund. Përpara fillimit të kësaj konference, ne u njohëm me përjashtimin e paprecedent të tre ambasadorëve tanë, atij në Romë, në Londër dhe në Sarajevë. Një akt, që nuk ka asnjë shpjegim publik. Tre ambasadorë që kanë të gjitha atributet, kredencialet, marrin rrogën dhe përfaqësojnë Shqipërinë, përjashtohen si një akt hakmarrjeje politike”, tha deputeti i PD, Aldo Bumçi.

Ish-ministri i Jashtëm Bumçi i quajti të pavërteta deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama, një ditë më parë, se trupi diplomatik shqiptar, gjatë qeverisjes së demokratëve, ka dëmtuar imazhin e ish-opozitës, sot në qeveri. Ish-ministri iu kundërpërgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Rama, se gjatë këtyre muajve shërbimi diplomatik shqiptar është depolitizuar.

“E kundërta ka ndodhur, jo depolitizim i trupës diplomatike, por një politizim i skajshëm në vetëm 10 muaj. Nga 15 kandidatura që kanë sjellë për ambasadorë këto 10 muaj, më shumë se gjysma e tyre janë politikë, jashtë sistemit të karrierës”, përfundoi deputeti Bumçi.

Top Channel