
Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh thellësisht i trazuar nga raportet e rrahjes barbare të një të riu, shtetas amerikan, gjatë kohës që ishte nën mbikqyrjen e policisë izraelite në Jeruzalemin Lindor.
15-vjeçari Tariq Khdair, nga Florida, është kushëri i adoleshentit palestinez Mohammed Abu Khdair, rrëmbimi dhe vrasja e të cilit ka shkaktuar prej dy ditësh trazira të mëdha.
Zyrtarët izraelitë thanë se do të hetojnë mbi incidentin, por jo pa shtuar më parë se i riu ishte pjesë e një grupi personash, që sulmuan forcat e sigurisë. Familja e tij mohon me forcë, që 15-vjeçari të jetë përfshirë në ndonjë episod dhune.
Protestat u përhapën nga Jeruzalemi Lindor, ku nisën fillimisht, në disa qytete arabo-izraelite, pas njoftimeve se rezultatet e para të autopsisë lënë të kuptohet se Khdair është djegur i gjallë. Disa pamje filmike të marra me telefon celular, gjatë një proteste të enjten duket se tregojnë nga, ana tjetër, momentin kur kushëriri i tij u ndalua nga dy policë izraelitë, njëri prej të cilëve e qëllon adoleshentin në kokë.
Në fotografitë e marra pak orë pas kësaj, i riu shfaqet me një fytyrë tmerrësisht të enjtur, shenjë e goditjeve të forta. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, sqaroi se Tariq, që është ende në duart e policëve izraelitë, ishte vizituar të shtunën nga një zyrtar i konsullatës.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet e rrahjes së tij, gjatë kohës së ndalimit nga policia. Ne e dënojmë pa hezitim përdorimin e tepruar të forcës dhe bëjmë thirrje për një hetim të shpejtë, transparent e të besueshëm, si dhe identifikimin e personave përgjegjës”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e DASH.
Me mijëra vetë morën pjesë të premten në funeralin e Abu Kdhair-it, familja e të cilit është e bindur se vrasja e adoleshentit ishte një formë hakmarrjeje ndaj rrëmbimit dhe ekzekutimit të dy 16-vjeçarëve izraelitë, Naftali Frenkel and Gilad Shaar, si dhe 19-vjeçarit Eyal Yifrach.
Trupat e tyre të pajetë u gjetën më 30 Qershor në afërsi të Hebronit, në Bregun Perëndimor, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit u bë të mërkurën.
Top Channel