Turi në bazë i kryetarit të Partisë Demkratike, Lulzim Basha, po përkon me 300 ditëshin e qeverisjes së koalicionit të majtë, një periudhë që kreu i opozitës e vlerëson me notat më negative të mundshme.

Gjatë analizës në konferencat zgjedhore të Gjirokastrës dhe Delvines, zoti Basha vuri në dukje se këto 300 ditë, për shkak të paaftësisë, korrupsionit dhe lidhjeve kriminale të qeverisë, përkeqësimi është evident kudo. Sepse, siç thotë zoti Basha, jo vetëm nuk janë mbajtur premtimet elektorale, por është rritur papunësia, është përkeqësuar shëndetësia, ndërsa rendi dhe siguria janë në nivele alarmante.

“Një qeverisje, e cila po zvarritet drejt 300 ditëshit të parë, por që shqiptarëve po u duket si 3 shekuj. Vende pune nuk kanë hapur, vende pune janë mbyllur. A është përmirësuar shëndetësia?! A paguajnë më pak shqiptarët për shëndetësinë?! A ndihen më të sigurt shqiptarët, 300 ditë pas premtimit absurd për të rikthyer diçka që e gjetën, që ishte rendi publik?! Ky premtim i marrë po i ndjek si hakmarrje në çdo fushë, duke filluar me statistikat e vrasjeve, që janë më keq se para një viti, të grabitjeve, të daljes përsëri të maskave të vjedhjeve, kërcënimeve ndaj pronës ndaj personit”, shprehet Basha.

Por, pavarësisht asaj që demokratët e cilësojnë si keqqeverisje dhe dështim të koalicionit Rama-Meta, Lulzim Basha beson se zhgënjimi i qytetarëve nuk është i mjaftueshëm për rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet. Sipas zotit Basha, çelësi i suksesit gjendet vetëm te ngritja, bashkimi dhe zgjedhja e më të mirëve.

“Ne nuk mund të flemë mbi dafina, se kundërshtari po diskreditohet nga dita në ditë, se mund ta marrim këtë si shkallaren e ardhjes sonë në pushtet. Ne nuk mund të fërkojmë duart e të bëjmë llogaritë me dështimet e kundërshtarit, por duhet të bëhemi gati për ngritjen dhe ringritjen tonë. Përmes votës së lirë do të merrni përgjegjësinë tuaj, si njerëz të lirë për të zgjedhur ekipin, që ju mendoni se do t’iu udhëheqë drejt fitores, dhe do të keni drejtuesin që zgjidhni vetë”, përfundoi Basha.

Top Channel