Një ditë pasi KQZ çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka deklaruar sërish se do ta formojë qeverinë e re sipas afateve kushtetuese.

Thaçi ka thënë se çertifikimi i rezultateve vërtetoi sërish fitoren e PDK-së dhe projektit Misioni i Ri dhe ka theksuar se, në ditët e ardhshme pret konstituimin e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet.

Duke folur në cilësinë e kryeministrit në detyrë, Thaçi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se ndihet krenar që zgjedhjet e fundit ishin më të mirat të organizuara në Kosovë.

“Edhe njëherë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë përkrahur Misionin e Ri, se me vendosmërinë më të madhe do të punojmë si qeveri e re, në përputhje me vullnetin e tyre dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Fillimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, të cilës iu dha emri “Arben Xhaferi”, sipas Thaçit është një projekt historik që ka shënuar fillimin e implementimit të Misionit të Ri.

Top Channel